jack micheline in albanian language by sokol çunga

Jack Micheline

Nuk desha kurrë të bëhem poet.
Doja vetëm të isha njeri.
Kushdo që rreh të bëhet poet, është i marrë.
Poet ose je, ose nuk je.
Shumica e poetëve nuk janë poetë.
Të jesh artist i vërtetë është pasuri unake dhe me vlerë për këtë planet.

Jack Micheline është një nga zërat e vërtetë të Beat Generation, një poet i cili ka mbetur “underground” deri sa iu botua libri i parë River of Red Wine (Lumë me verë të kuqe) më 1958. Kurrë nuk është botuar nga shtypi i madh dhe me rëndësi dhe, siç thoshte vetë shkrimtari, kjo s’ka për të ndodhur kurrë. “Unë jetoj në Siberinë e Shteteve të Bashkuara”, thoshte, “në ferrin pa dashuri të njerëzve që janë të dhënë me mish e me shpirt për të mbijetuar në këtë botë makute”.

Jack Micheline lindi në Bronx, New York City, më 6 nëntor 1929 nën emrin Harvey Martin Silver. E ndërroi emrin në Jack Micheline pasi kuptoi se i ati, një nëpunës poste, ishte një lidhur kokë e këmbë nga dashuria për paranë, si kushdo tjetër në geto. Pas kësaj, si shumë të tjerë para tij, i riu që e quajti veten Jack, u nis për rrugë.

I filloi udhëtimet në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare dhe nuk u ndal deri sa u bë njëzet e shtatë. Shpejt e identifikoi veten me poetët e rrugës, si Vachel Lindsay dhe Maxvell Bodenheim. Endej rrugëve të Village dhe Harlem-in duke dëgjuar xhaz, duke shijuar gjallërinë e të qenit mes njerëzve. Këtu filloi të shkruante. Më 1957 fitoi çmimin “Revolt in Literature Award” (Çmimi për revoltë letrare) në “Half Note Club” në East Village (një nga anëtarët e jurisë ishte Charles Mingus). Pak kohë më pas filloi të kërkonte një botues për poezitë. Botuesi i vuri Micheline-it dy kushte: duhej t’i ngatërronte vargjet, në mënyrë që të dukeshin më shumë jo tradicionalë, dhe duhej të gjente një shkrimtar të famshëm që t’i shkruante një parathënie. Në atë kohë Micheline jetonte në të njëjtën ndërtesë me shkrimtarin … Jack Kerouac!

Micheline ia tregoi poezitë Kerouac-ut, dhe ky i fundit filloi të ulërinte: “Një poet i ri!” Madje, Kerouac-u doli vullnetar t’i shkruante parathënien e përmbledhjes, gjë të cilën e bëri nën atmosferën e pijes dhe të çakërrqejfit. Veç bashkëpunëtorit, Micheline gjeti tek Kerouac-u edhe një mik të mirë.

Libri River of Red Wine u botua më 1958. Shpejt Micheline-i e gjeti veten mes festave elegante të njerëzve të “artit” dhe, ashtu si Kerouac-u, filloi zakonin e pijetarit, në garën për të shijuar jetën. Shpesh ecte në mes të njerëzve duke thirrur: “Të jesh gjallë do të thotë të jetosh në majë të shkrepit”, ose rropatej të fuste në shtrat vajzat duke përdorur gjuhë fyese.

Shpejt u vel nga festat e pispillosura dhe filloi të shoqërohej vetëm me Kerouac-un. E bënë zakon të endeshin në Bowery duke pirë dhe duke zënë miqësi me endacakët. Shoqëria me Kerouac-un e futi Micheline-in në antologjitë e Beat Generation. Gjatë kësaj periudhe shkroi shumë. Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve mbeti e pabotuar deri sa pas vdekjes filloi t’i botonte i biri. Në fillim të viteve ’60 rinisi udhëtimet anekënd Shteteve të Bashkuara, gjithmonë i mohuar nga botuesit. Banoi në dhoma me qira, ruajti lidhjet me miqtë dhe lidhi miqësi të reja me artistë të tjerë “underground”. Më 1963 u martua me të bijën e një politikani dhe së bashku nisën një udhëtim në Evropë. Një vit më pas martesa përfundoi. Shkak për këtë u bë një fëmijë i lindur nga njëra prej të dashurave të mëparshme të Jack-ut. Pas kthimit nga Evropa jetoi sërish në Village. Vazhdoi të shkruante poezi, prozë, madje dhe pjesë teatrale.

Jack Micheline ishte një pjesëmarrës entuziast i lëvizjeve kundër-kulturore të viteve gjashtëdhjetë, por herët e kuptoi se lëvizja po përdorej për motive komerciale, prandaj dhe nuk kishte për t’ia arritur kurrë qëllimit. “Thonë se ne hapëm shoqërinë. E çfarë hapëm? Hapëm llogaritë bankare për ca nga njerëzit e Hollywood-it”, pati thënë Micheline në vitet ’80.

Fundin e jetës Micheline e kaloi në San Francisco duke u marrë me poezi dhe pikturë, gjithmonë i lënë mënjanë nga shtypi i fuqishëm. “Puna e mirë nuk shitet, thonë. Unë jam një shpirt njerëzor i rrallë, puna është e hapur, e lirë dhe e gjallë. Më vjen keq në i kam trembur. Ndoshta publiku dëshiron të lexojë ngjarje me prezervativ, ngjarje të pastra dhe të sigurta. Puna ime është e GJALLË! Kjo kafshë është gjallë! Kjo botë tutëse më kall dëshpërimin. Më dëshpëron, vërtetë. Më vjen të ulërij…” Jack Micheline vdiq më 27 shkurt 1998 në një nga trenat e shpejtë të San Francisco Bay-t.

A poem for the freaks

Poezi për mendjeçarturit

Të jetosh siç kam jetuar unë është absurde
Në hotele xhepshpuarish dhe dhoma të mobiluara
Duke u ngjitur rrugëve të pashkelura dhe duke zbritur bulevardeve
Duke folur me vete
Dhe duke lëshuar sharje drejt poshtërsive të qiellit
Se arti është vërtetë tregti e krimbur
Se ligjin e bën mediokriteti dhe entuziazmi i modës
Poezitë e mia janë piktura të stivuara në dysheme
Për t’u bërë një me veten
Shenjtor
Princ
Duke ngulur këmbë
Mes stuhive dhe vështirësive
Mes muzgut dhe agimit
Për ta çuar vdekjen në të s’ëmës
Duke thënë se jam lapangjoz
Liliput
Milingonë
Buburrec
Mendjeçartur
Kurvar
Kriminel
Ta ngremë një dolli, or mik,
Një dolli për ata që ecin natën të vetmuar
Për sakatët dhe të verbrit
Për të humburit dhe të mallkuarit
Për zogun që fluturon vetmitar në qiell
Pi për mrekullitë
Pi për mua
Pi për pidhin dhe për ëndrrat
Pi për çmendurinë dhe për të gjithë yjet
Dëgjoj zogjtë tek këndojnë

My american land is not brave

Toka ime amerikane nuk është më trime

Toka ime amerikane nuk është më trime
As heshtja e të vdekurve që blejnë lule
Ia kam hapur zemrën dashurisë pa ngurrim apo keqardhje
E kam hapur zemrën dhe kam qarë sepse njerëzit dashurojnë rrugën e pamundimshme të librave dhe fjalimeve
E shtrij dorën në gjirin e errët dhe të zi të tokës
E shtrij trupin e rrahur nga varfëria dhe qielli i poetëve
Bota kërkon një shpirt të çelur për të marrë frymë
Bota kërkon
Burri kërkon
Gruaja kërkon
Fëmija kërkon
Nata e ftohtë kërkon
Plagën e hapur që shenjon zemrën
Rrahjen e afshit tek lotët e netëve vetmitare
Asgjë
Asgjë
Nga ato ç’ka ndërtuar njeriu mbi tokë nuk do të mbetet
Asgjë
Asgjë
Veç zemrës lakuriqe dhe shpirtit të krijimit
Mes luleve të dhimbjes
Dhe fytyrave të fëmijëve që luajnë në diell
Jo, nuk flas për pushtet apo ura çeliku
E kam fjalën për plagën e hapur, për zemrën e heshtur
Deti dallgëzohet
Këmbët enden
Zemra godet
Shpirti flet
Hape plagën dhe dëgjo fjalët që dalin
Nga buzët e dashnorëve të trembur

Beauty is everywhere

Bukuria jeton ngaherë

Bukuria jeton ngaherë
Bodler
Edhe krimbi është i bukur
Kërcënimi i fustanit të lypësit
Syri i kuq i pijetarit
Një nate me shi
Kur ndjek pas vajzën flokëkuqe
Bodler
Mespërmes qiellit
Pantallonat e tua zhele-zhele
Qeshin nën shi
Bukuria jeton ngaherë
Bodler

The dollar bill | San Francisco 1969

Kartëmonedha e dollarit | San Francisco 1969

Kanë për të ta thyer zemrën
Kanë për të ta thyer shpirtin
Dhe do të thonë se kartëmonedha e dollarit
Është dashuri

Kartëmonedha e dollarit ka vrarë
Djemtë në Dannemora
Rockland
Garden State
Ka vrarë mijëra djem
Në të gjitha luftërat e kohës

Ajo kartëmonedhë dollari nuk është
Buffalo Bill-i (1*) , nuk është
Lincoln-i
Madison-i
Jefferson-i
As fytyra e Gjeneral George Washington-it
Ajo kartëmonedhë dollari nuk është dashuri
Nuk është aspak dashuri, zotëri,
Me kartëmonedhën e dollarit mund të blesh
tortë me qershi
shalë
dhe vazelinë
Mund të blesh epshin dhe pidhin e ëndërruar
Edhe sarsaparilla (2*)
Gjithë ç’të thotë mendja

Kartëmonedha dyfaqëshe është e rreptë dhe mizore
Po s’e pate atë copë letër
Mirupafshim shpirt
Mirupafshim mik
Kaq e pate dhe ti
Gjithë shpirtshenjtët ulërijnë kah qielli
Po s’e pate kartëmonedhën e dollarit
Atë copë letre të shtypur
Je qen
Je mbret
Je një mrekulli e paçmuar
Je hajdut
Kasap
Banakier
Këpucar
Pjatalarës
Kamerier
Motërshitës
Ha-ha-ha-ha
Po s’e pate atë kartëmonedhë dollari
Kanë për të ta thyer zemrën
Kanë për të ta thyer vullnetin
Po s’e pate atë copë letre
Mirupafshim shpirt
Mirupafshim mik
Po s’e pate kartëmonedhën e dollarit
S’e ke dhe kaq

  • 1*.Buffalo Bill: nofka e William Frederick Cody, i cili pas vitit 1889 u bë i famshëm në ShBA dhe Evropë me shfaqen Wild West Show.
  • 2.*Sarsaparilla: bimë tropikale e Amerikës që bën pjesë në familjen Smilax. Ka rrënjë aromatike, të cilat përdoren si aromatizantë apo për të prodhuar një pije me të njëjtin emër

Shqipëroi: Sokol Çunga | (Albanian translation by Sokol Çunga)

Jack Micheline’s poetry came to me after I had read and enjoyed the most famous Beat Generation poets and writers. Micheline’s name was mentioned somewhere in a text about Kerouac. I googled it, and there it was, the most pure spirit of Beat. Nothing that I had read before could be compared to the simple verse of Micheline and to the humble rebellion of his poetry. Poetry that apparently floats in anger, but is coming from that sensitive part of the mind, body and heart that is starving for love, just love. That is what attracted me to Micheline’s poetry.

These four poems in Albanian were published about two years ago in a temporary literary newspaper. I wanted to start a column called “Beat Generation”, and I wanted to start from Micheline. Shortly after the newspaper was broke. That’s all. —Sokol Çunga